Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë javës së fundit, në kuadër të disa operacioneve të ndara që synojnë parandalimin e përdorimit të armëve dhe garantimin e sigurisë publike.
Sipas Policisë, gjatë javës së kaluar në Prizren dhe Suharekë janë sekuestruar tri pistoleta dhe një armë automatike AK-47. Në dy raste, armët janë konfiskuar pas informacioneve të pranuara nga qytetarë anonimë, të cilët kishin raportuar për të shtëna me armë në gazmende familjare.
Në tre nga katër rastet, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës ka ritheksuar se të shtënat me armë në ahengje dhe gazmende familjare nuk do të tolerohen dhe se do të vazhdojë veprimet për parandalimin e posedimit të paligjshëm të armëve, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët./A.K/
