Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje në Kosovë; dy në Prishtinë, kurse nga një rast në Fushë Kosovë, Lipjan dhe Pejë.
Në Prishtinë, më 12 shkurt, një grua ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse viktima ka marrë trajtim mjekësor.
Një ditë më pas, më 13 shkurt, është raportuar një tjetër rast i dhunës në familje në kryeqytet. Një grua raportoi se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po këtë ditë u shënua një rast i dhunës në familje edhe në Pejë. Edhe në këtë rast një grua raportoi në Polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari në mbajtje.
Në Lipjan dhe Fushë Kosovë është raportuar nga një rast i dhunës në familje më 14 shkurt. I dyshuari nga Fushë Kosova pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt, kurse ai nga Lipjani është dërguar në mbajtje./UBTNews