UBT News

Policia parandalon kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimin me mallra në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës ka parandaluar kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimin e mallrave në veri të Mitrovicës. Policia në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës dhe kalimit ilegal të kufirit, dje në veri të Mitrovicës ka iniciuar dy raste të ndara.

Në njoftim thuhet se dje rreth orës 18:50, derisa njësia policore ka qenë duke realizuar patrullim rutinor, kanë ndaluar një veturë me targa të huaja, të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari M.V (1993) shtetas serb.

“Policia e Kosovës kishte informacione paraprake për këtë automjet, si i dyshuar për aktivitete ilegale të kontrabandimit me mallra dhe gjatë kontrollimit të veturës është gjetur mall i kontrabanduar; vegla pune dhe ngjyra të ndryshme, për të cilat nuk është dëshmuar dokumenti mbi prejardhjen”, thuhet në njoftim.

Automjeti me mallin e kontrabanduar është dërguar në Terminalin Doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme, ndërsa ndaj vozitësit janë ndërmarr veprimet policore lidhur me kalim ilegal të kufirit.

Më tej thuhet se të martën rreth orës 19:50, nga njësiti policor përmes kamerave të sigurisë është vërejtur një automjet duke hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Njësitë policore kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme ku ka bërë ndaljen e veturës BMË ngjyrë e zezë me targa te huaja të cilën e drejtonte vozitësi A.H (2002) shtetas serb. Vetura dhe personi janë dërguar ne stacionin policor për procedura te zakonshme qe zbatohen ne këto raste”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave policore, në veçanti në parandalimin e kontrabandimit të mallrave dhe menaxhimit efektiv të kufirit shtetëror.

Exit mobile version