UBT News

Policia njofton për bllokim të rrugës për shkak të protestës në Graçanicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ridrejtojë trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan, dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë do të bllokohet për shkak të protestës.

Protesta do të fillojë në orën 11:30 ndërsa Policia ka kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative deri në përfundim të saj.

“Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës”, ka njoftuar Policia.

Protestë në Graçanicë ka pasur edhe gjatë javës së kaluar.

Serbët atje po kundërshtojnë arrestimin e Dragisha Milenkoviq, për të cilin ekziston dyshim i arsyeshëm se ka kryer krime lufte në Kosovë.

Ndaj Milenkoviq, autoritetet e Kosovës kanë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, si gardian i burgut në Prishtinë ka ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike, ndaj të burgosurve shqiptarë.

Ai është arrestuar me 21 qershor në zonën e Graçanicës, nga Policia e Kosovës, ndërsa një ditë më vonë Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim.

Në njoftimin e gjykatës thuhej se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.

Tutje bëhet e ditur se pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme.

Në komunikatën e gjykatës është theksuar se pas kësaj, në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke maltretuar e shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë.

Exit mobile version