UBT News

Policia nis fushatën “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, apel për kujdes në trafik gjatë sezonit veror

Policia e Kosovës ka nisur fushatën vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, me synim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve dhe i udhëtarëve është më i madh, si dhe për t’u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve që vijnë për pushime.

Në kuadër të kësaj fushate, Policia do të shpërndajë broshura informuese me këshilla dhe udhëzime praktike për pjesëmarrësit në trafik, të cilat duhet të merren parasysh menjëherë pas hyrjes në Kosovë.

Sipas Policisë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve rrugore mbeten tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi në vende të ndaluara, pakujdesia, lodhja, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Për të rritur sigurinë në rrugë, Policia ka bërë të ditur se, përveç shtimit të patrullave dhe pikave të kontrollit, do të përdorë edhe automjete të pajisura me teknologji inteligjente, kamera, radarë mobilë dhe dronë për identifikimin e shkeljeve në trafik.

Sipas njoftimit, kundërvajtjet si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi i ndaluar, mosvendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, qarkullimi me automjete të paregjistruara dhe shkelje të tjera do të evidentohen edhe pa ndalimin fizik të automjetit. Në këto raste, gjobat do t’i dërgohen me postë pronarit të mjetit.

Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë që pushimet verore të kalojnë në mënyrë të sigurt.

“I lodhur? Pushoni! Më mirë vonë në destinacion, sesa kurrë”, është mesazhi kryesor i kësaj fushate./A.K/

Exit mobile version