Policia e Shqipërisë bën të ditur se të premten i ka arrestuar katër persona në një fshat të Tiranës, të cilët dyshohen për trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova. Policia ka njoftuar se të gjithë të arrestuarit, të moshës 20-28 vjeçe, janë banorë nga Kosova.
Gjatë një aksioni policor në vendparkimin e një terminali autobusësh në periferi të Tiranës, policia gjeti dhe sekuestroi një çantë me armë dhe municion.
Sipas policisë, një 28-vjeçar me inicialet B.K dyshohet se kishte futur në një autobus që vinte nga Kosova drejt Shqipërisë një çantë brenda së cilës u gjetën 10 pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.
Policia shqiptare në një video të publikuar në Facebook, shfaq momentin e arrestimit të të dyshuarve, si dhe armët e sekuestruara gjatë aksionit.
Sipas Policisë, pas hetimit, erdhi në përfundim se armët po trafikoheshin me qëllim për t’u shitur në vlerat “1.500-3.000 euro”.
“Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një automjet dhe pesë celularë”, bën të ditur Policia e Shqipërisë.