Zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet operative gjatë javës së kaluar, duke realizuar gjithsej 191 urdhëresa të gjykatës në lokacione të ndryshme.
Sipas Policisë, 48 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera. Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 17 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi municioni.
Në kuadër të sigurisë në trafikun rrugor, Policia ka shqiptuar 4,721 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 953 gjoba janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe veturat e pajisura me radar mobil./A.K/
