Policia rajonale e Ferizajt ka marrë masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm në menaxhimin e rasteve të zjarreve në rajonin e këtij qyteti.
Sipas një komunikate për media, thuhet se policia në Ferizaj po angazhohet me përkushtim në parandalimin e zjarreve, duke koordinuar aktivitetet me institucionet lokale dhe agjencionet tjera përkatëse.
“Aktualisht në rajonin e Ferizajt nuk kemi asnjë vatër, apo lokalitet të përfshirë nga zjarret, por policia apelon tek qytetarët të kenë kujdes në përhapjen e zjarreve, të mos i djegin hapësirat fushore dhe pyjet. Policia do të jetë e pakompromisë ndaj të gjithë atyre që me qëllim shkaktojnë zjarrëvënie. Do të ndjekë penalisht të gjithë personat/individët që shkaktojnë zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre ndodhin zjarret”, thuhet tutje në komunikatë.