Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të kalimit të paautorizuar të vijës kufitare, të evidentuara gjatë ditës së 6 korrikut 2026 në rajonet e Gjilanit dhe Podujevës.
Në fshatin Dunavë të Gjilanit, rreth orës 17:00, policia ndaloi dy automjete që drejtoheshin nga dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, pasi dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin. Pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në fshatin Bervenik të Podujevës, rreth orës 20:00, policia ndaloi një traktor të ngarkuar me dru, i drejtuar nga një shtetas i Kosovës, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës duke kaluar kufirin me Serbinë.
Rasti është iniciuar si “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare” dhe “Kontrabandim me mallra”. Me vendim të prokurorit, ngarkesa me dru i është dorëzuar Doganës së Kosovës, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme procedurale do të zhvillohen në koordinim me organet kompetente.
D.L
