Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë kanë ndërhyrë në dy raste të ndara për të ndaluar gara të shpejtësisë brenda qytetit.
Në rrugën “Martirët Qerkezi”, policia ka identifikuar dy motoçikleta duke zhvilluar garë shpejtësie, ndërsa në rrugën “Gaspër Karaqi” janë hasur dy automjete duke kryer veprime të ngjashme.
Falë intervenimit të menjëhershëm, policia ka ndaluar kundërvajtjet, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të shmangin garat e shpejtësisë dhe sjelljet e rrezikshme, duke theksuar se ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore./A.K/
