Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se ka zbuluar dhe sekuestruar rreth gjysmë milioni euro, pajisje për falsifikimin e parave, armë dhe municione gjatë një aksioni të realizuar më 1 shkurt. Aksioni, i quajtur “Vardar”, ka çuar në arrestimin e 10 personave dhe është realizuar në bashkëpunim me EUROPOL, Eurojust dhe institucione hetimore serbe.
Gjatë aksionit, autoritetet konfiskuan 500,000 euro, 25,000 dollarë, 500 franga zvicerane dhe shumë monedha të tjera, si dhe sekuestruan prova të tjera materiale. Operacioni ishte një vazhdimësi e një aksioni të ngjashëm të zhvilluar në gusht të vitit të kaluar, ku u sekuestruan pajisje për falsifikim dhe monedha të falsifikuara. Hetimet zbuluan se një zyrtar i policisë maqedonase ishte pjesë e një rrjeti falsifikatorësh, dhe ai u arrestua në Kosovë.
Gjithashtu, në Serbi, janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar 6 anëtarë të grupit kriminal, ndërsa janë sekuestruar 180,000 euro të falsifikuara. Ky aksion është një hap tjetër në luftën kundër krimit të organizuar dhe falsifikimit të monedhave në rajon./UBTNews/