Policia në Gjilan ka dhënë detaje rreth operacionit policor në Karaçevë që ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.
Policia sqaron se janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Si vazhdimësi e operacionit janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse ku jetojnë të dyshuarit si dhe objektet e tjera ku janë zhvilluar veprimtaritë e lojërave të fatit.
Policia thoë se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 96 aparate të lojërave të fatit, 4 shtëpiza kompjuterike, 3 llaptopë, 3 monitorë, 2 TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë, 1 gjenerator si dhe 469,15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit).
Të gjitha aparatet dhe gjeneratori, sipas procedurave të parapara, iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.
Në vendngjarje në fshatin Karaçevë, Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër, është mbyllur dhe shirituar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë.
“Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore, përfshirë edhe kërkimin e disa personave të tjerë si të dyshuar të mundshëm”, përfundon Policia në Gjilan.