Policia e Kosovës njofton se gjatë kontrollit të zhvilluar të martën në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë dhe zyrën e një kompanie private, janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme.
Kontrolli është bërë në kuadër të hetimeve për dyshimet e keqpërdorimit të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore. Gjatë aksionit, janë intervistuar dy persona, të cilët janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit në prani të avokatëve.
Nga Prokuroria është konfirmuar se ndër të intervistuarit ishin ministri i Bujqësisë, Faton Peci, dhe drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Bekim Hoxha. Rasti është cilësuar si “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet: “Më 27 maj 2025, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Njësia e Veçantë e Hetimeve ka kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike si kompjuterë dhe telefona, si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhër-njoftimin e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.”