UBT News

Policia jep detaje për arrestimin e tre shtetasve të huaj

Policia e Kosovës, konkretisht njësiti “FAST Kosova”, sot ka arrestuar tre shtetas të huaj në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar për portalin UBTNews, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i cili ka thënë se arrestimi është bërë në koordinim me INTERPOL-in, duke marrë parasysh faktin se ata ishin të kërkuar për një rast nga një shtet tjetër.

Ai ka thënë se arrestimi është bërë duke u bazuar vetëm në pamjen e tyre fizike, për shkak se ata nuk posedojnë dokumente personale, dhe me këtë çështje do të vazhdojnë të merren policia në bashkërendim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Policia e Kosovës, njësiti FAST Kosova, sot më 27.11.2020, në ora 11:00, ka arrestuar tre shtetas të huaj. Arrestimi ka ardhur pasi është pranuar informata nga INTERPOL-i, se shtetas nga lindja janë të kërkuar për një rast në një shtet tjetër. Arrestimi i këtyre tre personave është bërë vetëm duke u bazuar në pamjen e tyre, pasi të njëjtit nuk posedojnë dokumente personale. Policia do ta trajtojë bashkë me institucione vendore dhe ndërkombëtare ketë rast dhe do të merren hapat e mëtejmë bazuar në procedura ligjore”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi./UBTNews

Exit mobile version