Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje për aksionin e së mërkurës në disa lokacione në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, ku u zbulua një punëtori për modifikimin e armëve.
Sipas Policisë, në këtë aksion u arrestuan tre të dyshuar- ku njëri prej tyre u dërgua në mbajtje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Rasti është iniciuar si “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ose shitje e paautorizuar e armëve dhe materialeve plasëse”.
“Mitrovicë Veri-Zveçan 07.05.2025 – 07:00.Pas hetimeve të zhvilluara, me urdhëresë të gjykatës, janë bastisur disa lokacione, në njërën prej tyre është zbuluar një punëtori për modifikimin e armëve të zjarri. Janë sekuestruar armë të ndryshme, pjesë të armëve, thika, municion, dhe tre makina metalike për gdhendjen e metalit. Lidhur me rastin, tre të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit, njëri prej tyre pronari i shtëpisë është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.