Një aksident zinxhiror në mes 14 veturave ka ndodhur sot në orën 06:50 të mëngjesit në autostradën Ibrahim Rugova, përkatësisht në Mazgit-Bresje të Fushë-Kosovës, ku si për pasojë janë lënduar disa persona.
Rastin në fjalë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se rruga është bllokuar përkohësisht për qarkullim, teksa shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente.
“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje, sipas informatave fillestare është shkaktuar nje aksident trafiku zingjiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksdentit raportohet edhe per persona të lënduar”, njoftoi Hoxha.
“Kjo rrugë është e bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marr me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar”, shtoi ai.
Hoxha gjithashtu u bëri apel vozitësve për kujdes të shtuar gjatë vozitjes në kohë me ngrica dhe mjegull.