Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së dielës në Drenas, ku një e mitur ka humbur jetën, ndërsa pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 17:08, kur një veturë me targa vendore ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar.
“Sipas hetimeve të para, një veturë me targa vendore, e drejtuar nga një femër kosovare, dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar. Si pasojë, një viktimë femër ka ndërruar jetë, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Viktima është konfirmuar se është e mitur, ndërsa të lënduarit përfshijnë tre femra, një mashkull dhe vetë drejtuesen e automjetit. Të gjithë janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.