Policia ushtarake italiane ka gjetur një bunker të mundshëm sekret që dyshohet se përdorej nga Matteo Messina Denaro, “kumbari i fundit” i mafies siciliane, i cili u arrestua të hënën pas 30 vitesh në arrati.
Struktura është në Campobello di Mazara, një qytet i vogël në Sicili, ku apartamenti në të cilin jetonte Denaro, 60 vjeç, u zbulua të martën.
Hetuesit po kërkojnë për dokumente që ishin në zotërim të Denaros, në veçanti një “arkiv sekret” të “bosit të bosëve” të mafias siciliane Totò Riina, i cili vdiq në vitin 2017, i cili, sipas disa informatorëve të mafias, u vodh nga Denaro dhe gjoja përmban sekretet e 40 viteve të fundit të vrasjeve mafioze.
Prokurorët besojnë se Denaro mban çelësin e disa prej krimeve më të urryera të kryera nga mafia siciliane, përfshirë sulmet me bomba në 1992 që vranë prokurorët antimafia Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino dhe vrasjen e Giuseppe Di Matteo, djalit 12-vjeçar të një mafiozi të kthyer në dëshmitar shtetëror, i cili u mbyt dhe u tret në acid.
Denaro u dënua në vitin 2002 në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen ose urdhërimin personal të vrasjeve të dhjetëra njerëzve.
I mbiquajtur Diabolik ose U Siccu (i dobëti), Denaro lindi në Castelvetrano, Sicili, në vitin 1962. Babai i tij ishte një shef i fuqishëm i Cosa Nostra-s dhe Denaro lulëzoi në biznesin familjar, duke ndërtuar një perandori të paligjshme shumë miliarda eurosh.
Për të mbrojtur veten e tyre, bosët e mafias në Itali janë të njohur për ndërtimin e tuneleve të arratisjes nën shtëpitë e tyre, bunkerë të sofistikuar në male që mund të arrihen vetëm në këmbë dhe streha në pyll kur janë në arrati.
Funksioni dhe madhësia i bukerit në Campobello di Mazara nuk dihet ende plotësisht. Denaro u arrestua të hënën në një klinikë mjekësore në Palermo, ku po trajtohej për një tumor.
Shtëpia, e vendosur në Via Maggiore Toselli, dyshohet se i përket një njeriu që ishte gjykuar më parë për shoqërim mafioz dhe u shpall i pafajshëm në 2001./UBTNews/