Të paktën dy civilë janë qëlluar për vdekje në përleshjet e fundit mes vendasve të Kaledonisë së Re dhe forcave franceze të sigurisë, raporton Anadolu. Ngjarjet tragjike ndodhen pas një incidenti që shpërtheu mbrëmë në fshatin Saint Louis, pranë kryeqytetit Noumea, kur policia tentoi të arrestonte disa individë të dyshuar për vepra kriminale.
Me këtë ngjarje, numri total i vrasjeve në këtë territor, që përfshin dy pjesëtarë të forcave të sigurisë, ka arritur në 13 që nga fillimi i dhunës në maj. Policia ka deklaruar se ishte angazhuar në një mision për të “arrestuar dhe marrë në pyetje disa individë të kërkuar”.
Kaledonia e Re ka qenë në trazira masive për shkak të një reforme zgjedhore, e cila do të mundësonte pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale për qytetarët francezë që jetojnë për një periudhë më të gjatë në ishull. Kjo reformë ka nxitur një reagim të ashpër nga popullsia vendase e Kanakëve, që frikësohen se kjo do të dëmtojë ndikimin e tyre elektoral.
Për të rikthyer rendin, qeveria franceze shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi forca shtesë në terren, duke përfshirë orë policore për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Në përpjekje për dialog, presidenti Emmanuel Macron njoftoi pezullimin e planit të reformës zgjedhore më 12 qershor, por tensionet mbeten të larta në territor./UBTNews/