Policia e Kosovës përmes një komunikate për media tha se pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo hetimore.
Duke dhënë hollësi për rastin, Policia thotë se nuk ka angazhuar asnjë zyrtar të njësive speciale.
“Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale”, thuhet në komunikatë.
Policia konfirmon se lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve”, përfundon komunikata e Policisë së Kosovës.