Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Plani operativ ka katër faza – periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,
angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Ndërsa faza e parë pothuajse është realizuar, policia është në fillim të zbatimit të fazës së dytë – krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Policia paralajmëron se do të ketë procedim të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku janë caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm.
Po ashtu janë caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.
Policia fton qytetarët të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor në numrat e telefonit 192, 038 550 999, adresa elektronike info@kosovopolice.com ose në stacionet më të afërta policore.