Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar mbi 100 mijë euro para të padeklaruara, gjatë kontrollit të një veture me targa serbe, në të cilën ndodheshin dy shtetas serb.
Rasti ka ndodhur në dalje të pikës kufitare në Merdare, të enjten, më 3 korrik në orën 21:30.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se zyrtarët policorë kishin përzgjedhur këtë veturë për kontroll në vijën e dytë të kontrollit “pasi që fillimisht pasagjeri kishte deklaruar se posedonte 18.000 euro me vete”.
“Gjatë kontrollit të detajuar nga ana e policëve kufitarë dhe zyrtarëve doganorë, në vende të ndryshme: në trupin e drejtuesit të automjetit, në një çantë në ulësen e prapme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe në kulmin e automjetit/panoramën lëvizëse janë gjetur gjithsej 119,180 [njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë] euro, kartëmonedha [10, 20, 50, 100 dhe 200-she] të padeklaruara”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Të gjitha mjetet monetare të padeklaruara janë sekuestruar përkohësisht dhe i janë dorëzuar zyrtarëve doganorë për trajtim dhe procedim të mëtutjeshëm.