Policia e Kosovës ka publikuar statistikat dhe rastet e evidentuara gjatë 24 orëve të fundit, ku dy persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar në ngjarje të ndryshme në gjithë vendin.
Një nga rastet më të rënda ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Hajvali të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt një tjetri, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Sipas policisë, nga vendi i ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë arme, ndërsa autori është larguar menjëherë pas krimit dhe është në kërkim. Trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.
“Një i dyshuar mashkull kosovar, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim viktimës mashkull kosovar. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit. I dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.” thuhet në njoftim.
Një tjetër ngjarje tragjike është regjistruar në Komoran të Gllogocit, ku si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjashtë automjete janë përfshirë në një aksident zinxhiror. Një grua ka humbur jetën, ndërsa tetë persona të tjerë janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. I dyshuari për shkaktimin e aksidentit është arrestuar pas marrjes së ndihmës mjekësore.
“Si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes kushteve të rrugës gjashtë (6) automjete janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident një femër kosovare ka ndërruar jetë, si dhe si dhe lëndime trupore kanë pësuar 8 persona. Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi ndërsa i dyshuari m/k që dyshohet se ka shkaktuar aksidentit pas trajtimit mjekësor është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftim.
Në Gllogoc, dy shtetas të Shqipërisë janë arrestuar pasi kanë sulmuar fizikisht një qytetar kosovar, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
“Janë arrestuar dy të dyshuar një mashkull dhe një femër shtetas të Shqipërisë pasi të njëjtit kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretmani mjekësor. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. thuhet në raport.” thuhet në njoftim.
Rastet e dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë, Pejë, Istog, Klinë e Gjakovë, ku viktimat kanë qenë kryesisht anëtarë të ngushtë të familjes. Në disa raste raste prej tyre ka pasur edhe arrestime të menjëhershme.
Prishtinë / 11.08.2025 – 08:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje viktima m/k, është sulmuar fizikisht nga djali i tij m/k. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Pejë / 11.08.2025 – 05:50. Dyshohet se viktima m/k pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga djali i tij i dyshuari m/k. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Istog / 11.08.2025 – 00:30. Dyshohet se viktima femër kosovare pas një mosmarrëveshje është ofenduar nga vëllai i saj i dyshuari m/k, i cili me pas edhe ka demoluar shtëpinë dhe e ka kërcënuar me dëbim nga shtëpia. I dyshuari është arrestuar, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Klinë / 11.08.2025 – 23:30. Është arrestuar i dyshuari m/k për shkak se e ka sulmuar fizikisht gruan e vëllait të tij viktimën f/k. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Gjakovë / 07.08.2025 – 09:00. Dyshohet se i dyshuari m/k e ka fyer dhe i ka shkaktuar dhunë psiqike viktimës f/k. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Prizren, një person ka sulmuar dhe dëmtuar pronë të policisë gjatë arrestimit, duke shkaktuar edhe lëndime të lehta tek një zyrtar.
“Është arrestuar i dyshuari m/k për shkak se kishte qenë i përfshirë në një përleshje me disa persona tjerë. I njëjti gjatë arrestimit ka rezistuar dhe ka dëmtuar xhamin e automjetit zyrtar. Po ashtu një zyrtar policor i cili ka qenë në intervenim ka kërkuar trajtim mjekësor. Me vendim ë prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftim.
Raporti evidenton gjithashtu dhjetëra raste të tjera të rënda, përfshirë sulme fizike, dhunë në familje, kanosje me armë, posedim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe sasi të konsiderueshme narkotikësh. Vetëm gjatë kësaj periudhe, policia ka arrestuar dhjetëra persona, duke sekuestruar armë të ndryshme dhe municion./UBTNews