UBT News

Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

Policia Kufitare, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat i kësaj është identifikuar një rast i kontrabandës me mallra në veri të vendit.

Njësia policore gjatë patrullimit në zonën kufitar, përkatësisht në liqenin e Ujmanit, ka vërejtur një mjet lundrues (barkë), të cilën e kanë përcjellë dhe kanë identifikuar vendin e ndaljes.

“Njësitë policore, me të arritur në lokacion, në mes të rrugës kanë hasur në një veturë të braktisur, me targa të Serbisë. Vetura e braktisur, dyshohet se ishte ngarkuar me mallin që ndodhej në barkë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme, si: telefona mobil (19 copë), cigare (830 pako) të llojeve të ndryshme, çanta, veshmbathje, mjete shkollore (lapsa, fletore, ngjyra, gërshërë etj), lodra për fëmijë, kozmetikë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Rasti do të trajtohet nga njësitet përkatëse policore të Drejtorisë Rajonale Policore Kufitare-Veri në koordinim me organet e drejtësisë dhe Doganën e Kosovës.

Exit mobile version