Në prag të shënimit të 25-vjetorit të Çlirimit, Policia e Kosovës ka njoftuar se Institucionet e Republikës së Kosovës kanë paraparë manifestime të ndryshme për të shënuar këtë datë të rëndësishme për vendin.
Policia ka njoftuar se do të kujdeset për sigurinë dhe lëvizjen e eskortave të personaliteteve sipas itinerarit nëpër rrugë të ndryshme, duke përfshirë vendkalimet kufitare, Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe rrugët të cilat të shpien në drejtim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
“Për nderim ndaj vendit tonë në këtë ngjarje do të marrin pjesë personalitete të rëndësishme vendore, rajonale e ndërkombëtare. Delegacionet e miqve të ftuar, do të kenë lëvizje bazuar në agjendat e parapara duke filluar nga 10 qershor deri me 13 qershor 2024”, thuhet në njoftim.
Nga qytetarët e vendit dhe pjesëmarrësit në trafik policia kërkon mirëkuptim pasi sipas njoftimi në intervale të caktuara do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative.