Policia e Kosovës, ka njoftuar se njësitë policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare – Veriu, në tri raste të ndryshme kanë ndaluar tre kamionë të ngarkuar me mallra pa dokumente përcjellëse.
Me datë 23.06.2022 rreth orës 16:00 në vazhdën e aktiviteteve për parandalimin e kontrabandës,
Policia e Kosovës bazuar në analizën e informacioneve të pranuara, ka ndaluar një kamion me
targa të huaja që po lëvizte nga territori i Kosovës në drejtim të Serbisë me vozitës dhe pasagjer
meshkuj shtetas të Serbisë, në të cilin kishin të ngarkuar pemë, perime dhe shkrepësa
rimbushëse.
Poashtu në datën e lartcekur rreth orës 20:00 në dy raste të ndara janë ndaluar dy kamionë njëri
me targa vendore dhe tjetri me targa të huaja, me vozitës meshkuj kosovarë, të ngarkuara me dru
në sasi gjithsej 34m³ të padamkosura dhe pa dokumente përcjellëse.
Lidhur me rastet për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizim të të cilit
janë iniciuar rastet “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo vijës kufitare & kontrabandim
me mallra”. Në rastin e parë, automjeti dhe mallrat e dyshuara janë sekuestruar dhe dërguar në
terminalin Doganor në Mitrovicë dhe me vendim të prokurorit lënda trajtohet në procedurë të shpejt
dhe të dyshuarit dërgohen në mbajtje.
Ndërsa në dy rastet tjera është njoftuar Agjensioni Pyjor i Kosovës në Mitrovicë për veprimet e
mëtutjeshme dhe me vendim të prokurorit rasti trajtohet në procedurë të rregullt dhe të dyshuarit
lirohen në procedurë të rregullt.