UBT News

Policia e Kosovës gjen granata dore dhe pjesë të uniformave në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur dhe sekuestruar granata dore dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës në një shtëpi të braktisur në fshatin Dobroshevinë të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10 shkurt, në orën 23:20, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, gjatë patrullimit kanë pranuar informacion se në një objekt të braktisur ndodheshin mjete të dyshuara ilegale. Pas kontrollit në lokacion, Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë 6 granata dore, një 1 maicë dhe dy 2 këmisha të Policisë së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të sigurt dhe pa incidente.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe i ka ftuar ata që të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin emergjent 192.

D.L

Exit mobile version