Procesi i vaksinimit po kryhet edhe nga Policia e Kosovës, ku deri më tani janë vaksinuar mbi 7 mijë pjesëtarë, ndërsa kanë mbetur akoma pa u vaksinuar edhe 1 mijë e 268, kështu konfirmoi zëdhënësi Baki Kelani.
Kelani në një prononcim për Ekonomia Online tha se kjo pritet të ndodhë në ditët në vazhdim pasi sipas tij, disa pjesëtarë nuk kanë mundur të vaksinohen e disa të tjerë presin shumë shpejtë ta kryejnë.
“Policia e Kosovës e në këtë rast menaxhmenti i saj së bashku me drejtorinë e shërbimeve shëndetësore e cila është në kuadër të policisë së Kosovës i ka kushtuar një rëndësi të veçantë vaksinimit të zyrtarëve policorë apo thënë në përgjithësi të punonjësve të policisë së Kosovës sepse kemi të bëjmë edhe me stafin civil dhe mund të them që përqindja e lartë e zyrtarëve policorë është vaksinuar”.
“Janë vaksinuar diku 7 mijë e 912 zyrtarë të policisë së Kosovës, dhe ende kanë mbetur edhe 1 mijë e 268. Edhe ky numër është në procedim dhe disa prej tyre për shkaqe shëndetësore e disa që për momentin nuk kanë mundur të vaksinohen po presim që shumë shpejtë edhe këta të vaksinohen”.
Tutje ai theksoi se janë duke i kushtuar rëndësi të veçantë procesit të vaksinimit, duke krijuar lista të punonjësve që ky proces të kryhet sa më shpejtë.
“Ne i kemi kushtuar rëndësi të veçantë, kemi krijuar edhe lista të punonjësve që t’u japim prioritet vaksinimit, sepse e dimë që zyrtarët tanë janë në terren e në detyra të caktuara dhe kanë kontakte të shumta me qytetarë dhe në qëllim që t’i mbrojmë edhe zyrtarët e edhe të parandalojmë përhapjen e pandemisë, kemi filluar dhe jemi në fazë të përfundimit”, përfundoi Kelani.