UBT News

Policia e Kosovës demanton lajmet se xhandarmëria serbe ka hyrë dje në Karaçevë

Policia e Kosovës demanton lajmet e publikuara në disa portale se xhandarmëria serbe ka hyrë një ditë më parë në territorin e Kosovës, në zonën e Karaçevës.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe konform autorizimeve ligjore që ka për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, përfshirë edhe mbikëqyrjen dhe patrullimet kufitare sipas mandatit të saj.

“Shkrimet e publikuara nuk qëndrojnë dhe nuk i përkasin ndonjë informacioni zyrtar, pasi në datën 06.04.2021, është mbajtur një takim zyrtar në mes të përfaqësuesve të KFOR-it, në përbërje prej KFOR-it Amerikan, Turk dhe palës serbe. Referuar informacioneve zyrtare lidhur me zhvillimet e realizuara në terren vlerësohet se nuk kemi të bëjmë me hyrje të xhandarmerisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, por kemi të bëjmë me realizim të një takimi zyrtar në cilësi të takimeve të rregullta”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore ndaj qytetarëve dhe vendit, si dhe informimin e drejt të opinionit publik./UBTNews

Exit mobile version