Policia e Kosovës ka avancuar kapacitetet profesionale në fushën e kërkim-shpëtimit në ujë dhe zhytjes, përmes dy trajnimeve të specializuara të realizuara në bashkëpunim me Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH).
Trajnimet “Kërkim-shpëtim në ujë” dhe “Zhytje” janë mbajtur në Borsh të Shqipërisë, gjatë periudhës 5–10 korrik dhe 12–18 korrik 2026, me pjesëmarrjen e 30 operatorëve nga njësitë speciale të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, pjesëmarrësit kanë avancuar njohuritë teorike dhe aftësitë praktike në fushën e zhytjes, kërkimit dhe shpëtimit në ambiente ujore, duke rritur nivelin e përgatitjes profesionale për ndërhyrje në situata emergjente.
Policia thekson se realizimi i këtyre trajnimeve ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve operative të njësive speciale, duke forcuar gatishmërinë për reagim të shpejtë dhe efektiv në raste të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.
Në njoftim, Policia e Kosovës rithekson përkushtimin për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve në fushën e kërkim-shpëtimit përmes trajnimeve të specializuara dhe avancimit të vazhdueshëm profesional, me synim rritjen e sigurisë dhe ofrimin e shërbimeve sa më efikase për qytetarët./A.K/
