UBT News

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Exit mobile version