Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar dy raste të kontrabandimit me mallra në zonën e Korminjanit.
Sipas njoftimit të Policisë, më 30 korrik 2026, gjatë zbatimit të një plani taktik operacional në rrugët malore të këtij fshati, janë identifikuar dy automjete që kishin hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Serbisë.
Gjatë kontrollit të automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme pa dokumentacion përcjellës, të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë.
Nga verifikimet e kryera është konstatuar se mallrat nuk posedonin dokumentacion për prejardhjen apo procedurat doganore, ndërsa sipas mbishkrimeve rezultonin të ishin prodhim i Serbisë.
Me autorizim të prokurorit kujdestar në Gjilan, automjetet dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme të vlerësimit dhe ruajtjes.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë iniciuar procedurat ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësitë kompetente në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonën kufitare, me qëllim mbrojtjen e rendit juridik, ekonomisë së vendit dhe sigurisë së qytetarëve./A.K/
