Një njësi speciale e policisë vjeneze ndërpreu dorëzimin e një kilogrami droge në një operacion të fundit në Vjenë, duke arrestuar një 55-vjeçar nga Ballkani, shtetas i Serbisë, dhe një 30-vjeçar austriak, që rezultoi të ishte blerës droge. Operacioni rezultoi një sukses, duke bërë të mundur kapjen e një sasie të madhe lëndësh narkotike.
Pas arrestimit të dy personave, forcat speciale austriake kryen një kontroll të plotë në banesën e tregtarit serb. Gjatë bastisjes, policia zbuloi edhe 60 kilogramë marihuanë të paketuara për shpërndarje dhe një shumë të madhe parash, afro 30 mijë euro. Përveç marihuanës, autoritetet konfiskuan edhe katër gramë kokainë.
Pas arrestimit, 55-vjeçari nga Serbia pranoi gjithçka gjatë marrjes në pyetje. Ai u dërgua menjëherë në burg me urdhër të Prokurorisë Publike të Vjenës. Policia austriake ka nisur hetime të mëtejshme për të identifikuar rrjetin e trafikimit dhe për të zbuluar nëse ka të përfshirë të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Ky operacion konsiderohet si një goditje e rëndësishme në luftën kundër trafikut të drogës në Austri, pasi kapja e 61 kilogramëve lëndë narkotike paraqet një sasi të konsiderueshme që synonte të shpërndahej në tregun austriak./UBTNews/