Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, ku njëri prej tyre kishte pasur urdhër-arrest aktiv në lidhje me një laborator droge.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë angazhimeve të saj për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale, ajo ka ndaluar për kontroll automjetin e tipit VW Golf, të cilin e drejtonte i dyshuari me inicialet N.M dhe dy pasagjerë të tjerë, M.T dhe D.J.
Pas ndalimit të automjetit nën dyshimin për posedim të substancave narkotike është kontrolluar automjeti dhe në të është gjetur sasi e dyshuar e kokainës dhe marihuanës.
Në cilësinë e provave, Policia ka gjetur kokainë me peshë rreth 10 gramë, marihuanë 98 gramë, para kesh 83540 dinarë të Serbisë, 205 euro dhe katër telefona mobilë.
Gjatë verifikimit të personave të ndaluar nga Policia e Kosovës ka rezultuar se i dyshuari me iniciale (M. T.) m/s, ka urdhër-arrest aktiv në lidhje veprën penale për narkotik/laborator droge.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me aktvendim mbi ndalim për tre (3) personat e dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor prej 48-orësh, thuhet në njoftimin e Policisë.