Një nga kriminelët më të kërkuar në Evropë, nofka e të cilit është “prerësi i gishtave”, është arrestuar në Zvicër, përcjell UBT News.
Policia e Cyrihut njoftoi dje se arrestoi një belg 35-vjeçar, i cili ishte vënë nën radarin e tyre “për falsifikim dokumentesh” dhe i cili kishte një urdhër arresti ndërkombëtar kundër tij.
Flor Bressers ishte në kërkim nga autoritetet belge që nga maji i vitit 2021. Ai ishte dënuar një vit më parë nga Gjykata e Apelit të Antwerpen me katër vjet burg për akuza përfshirë rrëmbim, marrje pengje, grabitje të armatosur, trafik droge etj.
Mediat belge i kishin vënë atij disa pseudonime, duke përfshirë “prerësi i gishtave”, për gjoja se kishte përdorur mjete prerëse për të prerë gishtin e një trafikanti droge si ndëshkim dhe “De Universitair” sepse ai besohet të ketë një diplomë në kriminologji.
Bashkë me të është arrestuar edhe një holandeze 28-vjeçare, e cila ishte shoqëruese e tij.
Patrick Céréda, kreu i medias për Policinë Kantonale të Cyrihut, u tha gazetarëve se “në procedurat këtu në Cyrih, ai akuzohet për falsifikim të letrave të identitetit në një shkallë të gjerë”.
“Në bazë të informacioneve nga jashtë dhe përmbajtjes së fletarrestit ndërkombëtar, duhet të supozojmë se personi do të klasifikohet si shumë i rrezikshëm”, shtoi ai./UBTNews/