UBT News

Policia arreston dy persona për dhunë në familje, disa raste të tjera nën hetim

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara gjatë 1 qershorit, ku dy persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një rast ka ndodhur në Prishtinë, një burrë dhe një grua janë intervistuar nga policia pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar njëri-tjetrin. Pas procedurave hetimore, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në një rast tjetër në Prishtinë, policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhunës në familje ndaj një viktime mashkull. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një arrestim tjetër është kryer edhe në Han të Elezit, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.

Ndërkohë, në Pejë është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka kryer veprën ndaj një gruaje. Pas intervistimit, palët janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë në gjendje të lirë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokuroritë përkatëse.

Exit mobile version