Një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, është sulmuar fizikisht mbrëmjen e së mërkurës në autostradën që kalon përmes Suharekës.
Sipas informacioneve nga raporti i Policisë së Kosovës, zyrtari kishte ndalur automjetin e tij pasi kishte hasur në dy vetura të ndaluara në shiritin anësor të rrugës. Ai u kishte kërkuar drejtuesve të mjeteve që të vendosnin masa sigurie, për shkak të mjegullës së dendur që po mbretëronte në zonë dhe rrezikut të mundshëm për aksidente.
Gjatë komunikimit, njëri nga drejtuesit e automjeteve dyshohet se e ka sulmuar fizikisht policin, i cili më pas ka marrë trajtim mjekësor në QKMF Suharekë.
Policia ka njoftuar se njësitet e saj janë vënë në kërkim të të dyshuarit, ndërsa rasti po hetohet.
“Viktima mashkull kosovar, zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ishte duke lëvizur në auto udhë, ka hasur në dy mjete të ndaluara në shirit rrugor në auto udhë. Viktima është ndaluar dhe ka biseduar me vozitësit për arsyen e ndaljes ku i njëjti ka kërkuar që të marrin masa për siguri për shkak të kushteve atmosferike-mjegullës pasi mund të shkaktohet ndonjë aksident, pas bisedës me ta, i dyshuar e ka sulmuar fizikisht viktimën. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Suharekë. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit.” thuhet në njoftim nga Policia e Kosovës.
