Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se në tre muajt e fundit nuk është paguar rrezikshmëria në punë për policët, ndërkohë që këta të fundit janë të angazhuar me nga 12 orë punë që prej 26 majit kur në veri të vendit serbët nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Ai shtoi se presin që gjatë këtij muaji të ndodhë një gjë e tillë. Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë, ai foli edhe për mungesën e uniformave, ku u shpreh se ka të bëjë me procedura të tenderimit. Po ashtu, Hoxha foli edhe për rastet e trajtuara gjatë vitit 2022, ku theksoi se kanë shënuar rritje ato të dhunës në familje.
Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, Hoxha ka kërkuar që për situatën në veri, komisioni të vijojë me dyer të mbyllura. Raportimi i këtij të fundit ka vazhduar pa prezencën e mediave. Ai tha se gjatë vitit 2022, aktivitetet e realizuara kanë pasur për fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës.
“Fatkeqësisht edhe këtë vit, jemi përballur me situata të rënda në fushën e mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, sidomos në veri të vendit. Me aktivitete të cilat kanë pasur për qëllim pengimin e zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë, të barabartë për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës me përkrahjen edhe të institucioneve të tjera shtetërore, por edhe të qytetarëve ka arritur të menaxhojë situatën me maturi dhe profesionalizëm… Gjatë vitit 2022, aktivitetet policore kanë pasur fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës. Ku kemi pasur bllokim të rrugëve përmes barrikadave, aktivitete penguese ndaj zyrtarëve policorë, por edhe aktivitete tjera kriminale. Falë angazhimit tonë është shtuar aktiviteti policor në parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme. Janë mbyllur rrugët ilegale, të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës ndërkufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona si në infrastrukturë por edhe në kapacitete të burimeve njerëzore”, deklaroi ai.
I pyetur nga kryetari i komisionit, Bekë Berisha, për pagesën e rrezikshmërisë në punë, Hoxha ka thënë se nuk janë paguar në tre muajt e fundit.
“Rrezikshmëria nuk është paguar gjatë këtyre tre muajve të fundit, mirëpo jemi në komunikim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave. Këtë muaj presim që të paguhet dhe të caktohet, është një komision që është duke punuar brenda Qeverisë së Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për të adresuar çështjen e rrezikshmërisë së Policisë së Kosovës”, është përgjigjur drejtori i Policisë së Kosovës.
Po ashtu, ai tha se njësia speciale është pajisur me uniforma të reja, për pjesëtarët tjerë të PK-së, ai shtoi se është çështje e mungesës së fondeve por procedurave të Ligjit të prokurimit.
“Policët e Kosovës, gjithë këta që janë të angazhuar në operacione kanë uniforma të reja. Vitin që shkoi janë furnizuar të gjithë me uniformë, me çizme me gjithë atë që është e nevojshme. Sa i përket rendit publik është një tender që është në proces e sipër edhe tani kanë me sa e di unë ka shkuar në OShP”, ka shtuar ai.
Hoxha theksoi se edhe në vitin 2022 zyrtarët policorë kanë qenë të sulmuar nga grupe kriminale dhe individë, ku të njëjtit janë lënduar dhe plagosur. Për të përmbushur të gjitha këto obligime me sukses, ai shtoi se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pasur në dispozicion 120 milionë euro, ku 93 për qind e buxhetit është shpenzuar.
“Policia e Kosovës ka evidentuar 49 mijë e 183 raste, prej të cilave 29 mijë kanë qenë të klasifikuara si vepra penale, ndërsa 19 mijë të tjera kanë qenë raste si kundërvajtje. Krahasuar me vitin 2021, numri i rasteve ka shënuar rënie prej 1,92 për qind. Numri i veprave penale ka shënuar rënie prej 0,83 për qind dhe numri i kundërvajtjeve i rasteve të natyrave të tjera po ashtu ka shënuar rënie prej 3,56 për qind. Numri i vrasjeve ka shënuar rënie, prej 27 vrasjeve i kemi 21, ose rënie prej 22,22 për qind. Numri i lëndimeve të rënda ka shënuar rënie, nga 296 në 259, ose rënie prej 12,5 për qind. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie nga 4333 në 4094 ose rënie prej 5,51 për qind. Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie nga 3223 në 2802 ose rënie për 13,06 për qind. Numri i grabitjeve po ashtu ka shënuar rënie nga 158 grabitje në 93 grabitje, ose rënie për 41, 13 për qind. Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar ngritje nga 2456 raste në 2757, ose 12, 25 për qind”, u shpreh Hoxha.
Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Hoxha bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë ndaluar mbi 5 mijë e 600 persona për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra kriminale.
“Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, është shënuar një ngritje prej 1,62 për qind. Po ashtu, Policia ka arrestuar 12 mijë e 257 persona të cilët në bashkëpunim me autoritetet përkatëse janë dërguar në procedura të mëtejme. Krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit paraprak, vërehet një ngritje e personave të arrestuar për 4,51 për qind. Në operacione të ndryshme të ndërmarra, Policia e Kosovës ka konfiskuar 1473 armë të zjarrit të llojeve të ndryshme dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është shënuar një ngritje prej 15,07 për qind, si dhe janë konfiskuar 29 mijë numra të municioneve të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është një ngritje prej 28,85 për qind”, shtoi ai.
Tutje, ai tha se gjatë vitit 2022 janë shqiptuar mbi dy 600 gjoba në trafik për kundërvajtje, për çka theksoi se është shënuar rritje 33, 59 për qind. Po ashtu, Hoxha njoftoi anëtarët e komisionit se janë regjistruar 21 mijë aksidente.
“Gjatë vitit 2022 janë konfiskuar 246 kilogramë heroinë, katër kilogramë kokainë, 662 kilogramë marihuanë, 24, 511 bimë kanabis. Në fushën e luftimit të krimeve ekonomike dhe korrupsionit janë regjistruar gjithsej 318 raste, janë arrestuar 81 persona të dyshuar dhe janë paraqitur 313 kallëzime penale ndaj 586 personave të dyshuar”, tha ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se objektivi kryesor është realizimi i aktiviteteve që ndikojnë në zbatimin e ligjit në mënyrë efikase. Po ashtu, theksoi synimet që të ketë barazi gjinore në këtë institucion, megjithatë shtoi se mungon interesimi i gjinisë femërore.
Para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha tha se janë realizuar mbi 340 operacione policore në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda. Sipas tij, janë goditur 34 grupe kriminale dhe janë ngritur 1094 kallëzime penale. Ai ka përmendur edhe dorëheqjen e policëve serbë, ku shtoi se kanë bërë përpjekje për të plotësuar vakumin e shkaktuar. Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në tri komuna në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve. Ndërsa emisarët parashtruan tri kërkesa për të cilat deklaruan se presin të dëgjohen nga Qeveria e Kosovës.