Së fundi, autoritetet hebreje njoftuan se efikasiteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19. E gjithë kjo, në kohën kur në vend po përhapet gjithmonë e më shumë varianti Delta i koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind e efektshme sa i takon shtrimeve në spital dhe simptomave të rënda të sëmundjes. Një zëdhënës i kompanisë Pfizer nuk ka pranuar që të komentojë të dhënat e shtetit të Izraelit, por ai u bëri jehonë të dhënave nga kërkime të tjera që tregojnë se antitrupat e nxitura nga vaksina janë në gjendje të neutralizojnë të gjitha variantet e koronavirusit, përfshirë Deltën, megjithëse me një fuqi më të ulët.
Numri i rasteve të reja në Izrael ka nisur gradualisht të rritet përsëri, e po ashtu edhe ai i personave me simptoma të rënda. Sipas ekspertëve, të trija vaksinat e autorizuara në Shtetet e Bashkuara – Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson – kanë rezultuar të efektshme në mbrojtjen nga varianti Delta. Megjithatë, disa studime tregojnë se niveli i mbrojtjes është pak më i ulët sesa kundër varianteve fillestare të koronavirusit.