Mbi 80 kilogramë marihuanë janë konfiskuar në një aksion të Anti-drogës të koduar “Bregdeti”.
Fillimisht mbrëmë rreth orës 23:00 në një kamion në Merdarë të drejtuar nga H.S, janë gjetur 76 kilogramë e 800 gramë marihuanë.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.
Ai dha edhe detaje tjera, ku tha se në asistencën e Njësitit për Reagim të Shpejtë, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar: 1 armë me pesë fishekë të kalibrit 9mm; 2 vetura, një kamion; 1 telefon celular; dhe para në vlerë 2 mijë 950 euro.
Gashi theksoi se operacioni vazhdoi edhe sot, ku janë bastisur edhe dy lokacione, përkatësisht shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë, në fshatin Godishnjak të Podujevës.
Aty janë gjetur dhe konfiskuar 4 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë; 2 vetura; 2 telefona celularë; thasë najloni të zbrazur ngjyra e zezë dhe ngjitës, që kanë shërbyer për paketimin e narkotikëve; dhe një armë zjarri me gaz e modelit “Signasauer”.
Derisa ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
