Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 në takimin e mbajtur sot diskutoi rreth gjendjes së rënduar javët e fundit me pandeminë, masat dhe vendimet e Qeverisë gjatë fundjavës së kaluar dhe masat që mund të merren së shpejti nga Qeveria e Kosovës.
Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, informoi anëtarët e shtabit lidhur me gjendjen e rënduar epidemiologjike në komunë dhe informoi rreth takimit virtual të mbajtur të hënën (dje) me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani.
Nënkryetari Rudari tha se në këtë takim ka paraqitur shqetësimin e tij në lidhje me masat e ndërmarra për mbylljen totale të bizneseve për fundjavë, në theks për sektorin e gastronomisë, por njëkohësisht është angazhuar për respektim strikt të masave anti-Covid nga qytetarët dhe organet përgjegjëse të Komunës, që të shmangen mbylljet totale siç u praktikuan në fundjavë. Rudari theksoi se komuna është e gatshme për të shtuar masat e kontrollit dhe sigurisë në bashkëpunim me policinë, inspektoratin dhe punëtorët shëndetësorë.
Epidemiologia Bedrie Rama tha se gjendja me pandeminë aktualisht është e menaxhueshme, pavarësisht shtimit të numrit të rasteve. Ajo raportoi se deri më tani, nga paraqitja e pandemisë COVID-19, në komunën e Podujevës numri i të infektuarve ka shkuar në 954, prej tyre 679 janë shëruar, 248 raste janë aktive, kurse 27 persona kanë ndërruar jetë.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bejtush Jashari tha se ka angazhim të plotë të stafit mjekësor, kurse kohët të fundit ka edhe shtim në staf të vullnetarëve, të cilët po punojnë pandërprerë në luftimin e pandemisë.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, tha se deri tani procesi mësimor është duke u zhvilluar sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shëndetësore. Sipas tij, nga 114 testimeve të kryera tek personeli arsimor, 31 punëtorë arsimorë kanë rezultuar pozitiv, ndërsa tek nxënësit, prej 98 testimeve, 23 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Shtabi Emergjent apelon dhe iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së Podujevës, që t’i respektojnë masat anti-Covid, sepse vetëm kështu do ta luftojmë pandeminë.
Komuna e Podujevës si një ndër komunat me numër më të lartë infektuarve gjatë ditëve të fundit, mund të përballet me masë të karantinimit, apo izolim të qytetit./UBTNews