UBT News

Po vidhnin kabllo elektrike, arrestohen në flagrancë tre ferizajas

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë në flagrancë tre persona që po vidhnin kabllo të instalimit elektrik në shkollën e mjekësisë, e cila është në ndërtim e sipër. Dëmi sipas palës ankuese konsiderohet të jetë rreth 20 mijë euro.

“Mbrëmë, rreth orës 20:20 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Brahim Ademi’ në Ferizaj, në shkollën e mjekësisë e cila është në ndërtim, ishte duke u kryer një rast i vjedhjes në proces. Në lidhje me këtë policët e rendit e më pas edhe policët hetues të stacionit në Ferizaj i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes dhe në flagrancë kanë kapur tre persona të dyshuar të cilët ishin duke vjedhur kabllo të instalimit elektrik të objektit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e Policisë në Ferizaj, përkatësisht në Njësinë e Hetimeve.

“Pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarit : F.K (M/K) i moshës 29, E.P (M/K) 21 vjeçar dhe M.A (M/K) 20 vjeçar dërgohen në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’. Vlera e dëmit sipas ankuesi përllogaritet të jetë njëzetmijë (20.000) euro”, thuhet në komunikatën e Policisë. 

Exit mobile version