Ministria e Punëve të Brendshme sonte ka informuar se po vazhdon hapja e kanaleve për rrjedhje të ujit në zonat e Mitrovicës së Jugut dhe në komunat veriore, ku ka përmbytje.
Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve spitalore, njësitë e zjarrfikësve, siç ka bërë të ditur MPB, kanë dërguar një autocisternë në Spitalin e Mitrovicës.
“Në shtëpitë e vërshuara nga uji në zona të ndryshme të Komunës së Zveçanit planifikohet të fillojë nxjerrja e ujit me pompa ndërsa në zona të Komunës së Leposaviçit, ky proces veçse ka filluar nëpër shtëpi të vërshuara nga uji”, është bërë e ditur në komunikatë.
Rrëshqitjet e dheut të shkaktuara pasditen e sotme kryesisht në komunat veriore janë sanuar nga Njësitë e Zjarrfikësve dhe kompani të ndryshme, ndërsa në zona të tjera po shfrytëzohen rrugët alternative.
MPB ka apeluar te qytetarët për bashkëpunim me institucione, duke kontaktuar pa pagesë në numrat:
112 – Numri unik emergjent
192 – Policia e Kosovës
193 – Zjarrfikësit dhe
194 – Ndihma e shpejtë