UBT News

Po, të gjithë e bëjmë! Ja pse kthehemi vazhdimisht te Story-t tona

E kemi bërë të gjithë: postojmë një Story dhe pas pak sekondash, e hapim për ta parë. Pastaj e shohim sërish. Dhe sërish.

Edhe pse e dimë çfarë kemi ndarë, diçka na shtyn ta rishohim, ndoshta për t’u siguruar që drita ishte e mirë, që filtri ishte i duhur, apo thjesht për të parë kush e ka parë.

Por pse ndodh kjo? Pse nuk i rezistojmë tundimit për të parë postimin tonë në Instagram, edhe pse e njohim përmendësh?

“Të shohësh veten nga jashtë”

Psikologia Dr. Allison Forti shpjegon për Mashable se kjo sjellje lidhet me një koncept psikologjik të njohur si “të shohësh veten nga jashtë”, ideja që njerëzit e perceptojnë veten ashtu si mendojnë se i shohin të tjerët.

“Njerëzit e shohin vazhdimisht përmbajtjen që postojnë në Instagram për të formuar identitetin e tyre,” thotë ajo. “Nëse e shohin një Story ku duken mirë, ku bëjnë dikë të qeshë apo të reflektojë, ata ndihen pozitivisht sepse mendojnë se edhe të tjerët i perceptojnë në të njëjtën mënyrë.”

Me fjalë të tjera, duke parë postimet tona, sigurohemi se të tjerët kanë një opinion të mirë për ne — dhe kjo na bën të ndihemi më mirë me veten.

Një performancë në skenën digjitale

Sociologu Dr. Kent Bausman nga Maryville University e përshkruan këtë dukuri përmes teorisë së dramaturgjisë — idesë që jeta është si një shfaqje teatri, ku ne jemi aktorët që performojmë çdo ditë.

“Kur dalim në publik, ne jemi në skenë. Por kur kthehemi në shtëpi, zbresim nga ajo skenë dhe analizojmë performancën,” shpjegon ai.

Në rrjet ndodh e njëjta gjë: kur postojmë një Story, po performojmë; kur e rishikojmë, po analizojmë si u paraqitëm para audiencës sonë digjitale.”

Pra, çdo herë që shohim një Story të tonin,  vlerësojmë versionin që kemi treguar para botës, sa interesantë, sa të natyrshëm, sa të pëlqyeshëm dukemi.

A është e dëmshme?

Jo domosdoshmërisht. Rishikimi i postimeve nuk është problem nëse nuk ndieni ankth apo pakënaqësi. Si çdo gjë tjetër në rrjetet sociale, çelësi është masa.

Pak vetëvlerësim dhe reflektim është i shëndetshëm — por kur numri i shikimeve apo reagimeve bëhet matësi i vlerës personale, atëherë është koha të bëjmë një hap prapa nga “skena” dhe të kujtojmë se vlera jonë nuk përcaktohet nga një listë shikimesh. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version