Nga Tyler Cowen, Bloomberg
Teknologjitë e reja, madje edhe ato të dobishme, përdoren përfundimisht ose si armë ose si instrumente lufte, përcjell UBT News.
Si t’i përgjigjemi ndryshimeve klimatike shpesh postulohet si pyetja kryesore e kohës sonë, dhe ndërsa kjo është padyshim e rëndësishme, unë kam një tjetër: Si do të ndalojmë që teknologjitë tona të reja dhe shpesh të shkëlqyera, të armatosen kundër nesh?
Unë e përdor termin armatim në kuptimin e plotë të fjalës – sulme me dron, sulme kibernetike, përdorime armiqësore të inteligjencës artificiale dhe sulme nga hapësira, bioarmë dhe më shumë. Është mirë që bota po del nga një periudhë stagnimi teknologjik, por këtu qëndron një rrezik: Është një parim i përgjithshëm i historisë botërore që teknologjitë e reja, madje edhe ato më të dobishmet, përdoren përfundimisht ose si armë ose si instrumente lufte. Kjo ishte e vërtetë për kalin, hekurudhën, aeroplanin dhe, natyrisht, energjinë bërthamore. Kjo ka të ngjarë të jetë e vërtetë edhe për këto zhvillime të reja.
Sulmet me dronë dhe kibernetike janë tashmë forca të rëndësishme në shumë pjesë të botës, mbi të gjitha në Lindjen e Mesme dhe rajonet përreth, dhe ato po rezultojnë efektive. Është një parashikim mjaft i sigurt se ato do të përhapen në më shumë pjesë të botës dhe do të përdoren me frekuencë më të madhe. Shumë amerikanë sot i shohin sulmet kibernetike kryesisht si një telash komercial ose burokratik, por mjete të tilla kanë potencialin të mbyllin pjesë të rëndësishme të ekonomisë ose të neutralizojnë disa asete ushtarake.
Intelegjenca artificiale armiqësore, sulmet nga hapësira dhe armët biologjike mund të jenë më larg. Por të paktën disa nga këto teknologji mund të bëhen faktorë kryesorë strategjikë brenda disa dekadash.
Shumica e ideologjive aktuale janë të papërgatitura për këtë botë të re që po vjen. Këto probleme nuk kanë zgjidhje të dukshme dhe as nuk ofrojnë ndonjë mënyrë të dukshme për të dhënë përparësi politike. SHBA nuk ka bërë as ndonjë përparim në përgatitjen për pandeminë e ardhshme, dhe kjo edhe pse më shumë se 2,500 amerikanë vdesin në ditë nga Covid-19.
Pikëpamjet standarde të “skifterëve” të politikës së jashtme kërkojnë të shpenzohen më shumë për mbrojtjen kombëtare. Pavarësisht nëse jeni dakord apo jo, ato ideologji nuk adresojnë domosdoshmërisht pyetjet e duhura. Ciklet e prokurimit mund të zgjasin një dekadë ose më shumë, por teknologjitë përkatëse po përparojnë çdo vit.
Për më tepër, ushtria amerikane e ka gjithnjë e më të vështirë të joshë talentet më të mirë, duke pasur parasysh pagat e larta në sektorin e teknologjisë.
Shumica e ideologjive të Evropës, veçanërisht në Gjermani, thjesht supozojnë se këto probleme nuk do të arrijnë kurrë në brigjet e tyre. Një luftë e mundshme midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shërbejë si një zgjim.
Kina, nga ana tjetër, ka një ideologji për të adresuar këto çështje – ideologjinë e mbikëqyrjes. Mbetet për t’u parë nëse këto mjete, të praktikuara mbi popullsinë e tyre, si dhe jashtë vendit, do ta bëjnë Kinën më të qëndrueshme ose do të çojnë në beteja të brendshme për pushtet politik. Në çdo rast, qëllimi duhet të jetë mbrojtja nga këto ideologji autokratike, dhe jo përqafimi i tyre, transmeton UBT News.
SHBA është i vetmi vend tjetër që praktikon nivele të krahasueshme të mbikëqyrjes, megjithëse më shumë në vendet e tjera sesa në popullsinë e vet. Për Amerikën është më pak një ideologji sesa një praktikë e fshehtë që pretendon të qëndrojë e ndarë nga pjesa tjetër e ideologjive kryesore amerikane (të cilat, me të drejtë, kanë aspektet e tyre imperialiste).
Pavarësisht se cili është këndvështrimi juaj për Edward Snowden, ai nuk ka qenë më një figurë e madhe publike ose nuk ka shkaktuar shumë debate të zakonshme. Amerikës mund t’i duhet të presë derisa të ndodhë diçka vërtet katastrofike përpara se të trajtojë çështje të tilla.
Ka ideologji që trajtojnë pjesë të problemit të armatimit. Qarqe të caktuara, veçanërisht ato që fokusohen në rreziqet e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI), kanë frikë se një AI super-inteligjente mund të zhvillojë një mendje të vetën dhe do të na imponojë vullnetin e saj, ose ndryshe do të përfshihet në aktivitete të këqija.
Ky mund të jetë një shqetësim i madh, por frika ime është më e përgjithshme. Nëse AGI është kaq i fuqishëm, atëherë është e arsyeshme që produktet e ndërmjetme, në lidhje me përpjekjet njerëzore, mund të shkaktojnë shumë konflikte ushtarake. Problemi nuk është domosdoshmërisht që Skynet (nga filmi “Terminator”) të shfaqet drejtpërdrejt. Është se 40% e Skynet do të jetë mjaft i rrezikshëm.
Ludditët kanë gjithashtu një ideologji, sipas tyre, zhvillimi i teknologjive të reja duhet të ndalet fare. Dikush mund të debatojë për raportin përfitim-kosto të atij vendimi, por mjafton të thuhet se Kina, Rusia dhe shumë vende të tjera rivale nuk kanë plane të tilla dhe SHBA-ja nuk ka zgjidhje reale përveçse të përpiqet të qëndrojë përpara tyre.
Ky nuk është ndonjë vizion tejet shpresëdhënës për të ardhmen, por kështu qëndron situata. Për atë që mund të jetë çështja më e rëndësishme tani për tani, Amerika po i kryqëzon gishtat duke shpresuar për më të mirën./UBTNews/