Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar 13 persona për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, ndërsa më pas 10 prej tyre janë liruar me vendim të prokurorit kujdestar.
Bëhet e ditur se mbrëmë fillimisht, rreth orës 20:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në rrugën “Vëllezrit Gërvalla” në një kafiteri në Ferizaj po zhvillohej aktivitet i paligjshëm i bixhozit.
“Në lidhje me këtë ekipe të policisë së rendit dhe policët hetues i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të lokacionit, ku aty kanë hasur trembëdhjetë (13) persona duke luajtur bixhoz, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur gjashtë (6) pajisje tabletë, shtatë (7) paketime të letrave të bixhozit dhe para dymijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë (2639) euro, të cilat janë sekuestruar”, bëhet e ditur në komunikatën për media.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj të dyshuarit : F.K (M/K) 55-vjeçar, A.SH (M/K) i 23-vjeçar dhe R.F(M/K) 35-vjeçar janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dhjetë (10) personat tjerë janë liruar në procedurë të rregullt për procedura tjera hetimore.
Rasti është cilësuar “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.