Raporti i Policisë së Kosovës për 24 orët e fundit sjell të dhëna për shumë raste kriminale të ndodhura në anë të ndryshme të vendit.
Në Lipjan njoftohet për një grabitje në tentativë. “Ankuesja femër ka raportuar se deri sa ishte në vendin e saj të punës në market kishte hyrë një person i dyshuar me armë të mprehtë (thikë) dhe kishte tentuar të grabit gjësende, por i njëjti nuk kishte arrit të marrë asgjë dhe kishte ikur në drejtim të panjohur. Ankuesja është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë pasi që e njëjta ishte e shqetësuar”, njofton Policia
Një vjedhje e rëndë është raportuar në Prishtinë. Sipas Policisë, është arrestuar i dyshuari kosovar, në PKK-Vërmicë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur, dhe disa (3) vepra të tjera të njëjta, më herët. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë është njoftuar edhe një rast të falsifikimit të parasë. “Ankuesja femër – përfaqësuese e bankës komerciale, ka raportuar se klientë të ndryshëm nga data 18.03.2025 deri tani kanë deponuar bankënota të ndryshme dhe monedha metalike në vlerë të përgjithshme 4558 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”.
Po në kryeqytet është njoftuar për një rast të armëmbajtjes pa leje. “Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit të tyre janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri me nga një karikatorë dhe 19 fishekë si dhe një armë e mprehtë (thikë)”, njoftoi Policia
Në Prishtinë u gjetën edhe narkotikë. Policia njoftoi se ka shoqëruar në stacionin policor një të dyshuar, pasi që gjatë kontrollit te i njëjti është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike me peshë rreth 4 gramë.
Në Drenas është njoftuar për një person të zhdukur. Sipas Policisë, “ankuesi ka raportuar se djali i tij- i mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti duke u hetuar”.
Arrestimet për dallavere më vota po vazhdojnë ende. “Më 25.02.2026 janë arrestuar 15 (pesëmbëdhjetë) të dyshuar, nën dyshimin se të njëjtit me datën e cekur kanë falsifikuar rezultatet e votimit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.
Drogë është gjetur edhe në Gjilan. ”Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 5.84 gramë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.
Një rast i pranimit të ryshfetit në sektorin privat është njoftuar në Ferizaj. Aty janë arrestuar dy të dyshuar zyrtarë të KEDS-it, pasi të njëjtit nga viktima mashkull kosovar, në formë ryshfeti kanë pranuar 400 euro para të gatshme, me premtim se do t’ia zëvendësojnë njehsorin elektrik për kohë të shkurtër. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
Drogë u gjet edhe në Prizren. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 5.39 gramë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.
Një rast i lëndimit të lehtë është shënuar në Suharekë. Sipas Policisë: Ankuesi kosovar ka raportuar se i dyshuari kosovar, e kishte sulmuar fizikisht. Në vendin e ngjarjes i dyshuari nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar dhe një zyrtar policor viktimën mashkull kosovar, cili ishte jashtë detyrës zyrtare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.
Një rast i vjedhjes është shënuar në Prizren. Aty është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë, i cili është kapur në flagrancë në tregun e qytetit, pasi që i njëjti viktimës kosovar, i kishte vjedhur portofolin në të cilin kishte dokumente dhe 75 € para të gatshme. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur vetëm portofolin me dokumente. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
