Platforma eKosova ka arritur në 1 milion përdorues, duke shënuar një moment kyç në transformimin digjital të Republikës së Kosovës.
Përmes një njoftimi në Facebook platforma eKosova ka theksuar se arritja e këtij suksesi është rezultat i përkushtimit dhe angazhimit për të ofruar një platformë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve, duke ofruar mundësi të reja dhe inovative në sektorin e shërbimeve digjitale.
“Kjo është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes së përdoruesve, të cilët kanë zgjedhur platformën eKosova për të shfrytëzuar shërbimet e saj moderne, të shpejta dhe efikase”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq kjo platformë është e angazhuar të vazhdojë përmirësimin dhe zgjerimin e shërbimeve të saj, duke ofruar mundësi të reja për qytetarët.
“Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar dhe zgjeruar shërbimet tona, duke sjellë më shumë mundësi dhe inovacion për ju. Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi! Bashkë ndërtojmë të ardhmen digjitale”, thuhet në njoftim.