Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka parë me shqetësim të madh deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili gjatë së enjtes tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.
Haradinaj ka kërkuar reagim edhe nga presidentja e vendit, për siç tha të mos e “marrin në qaf Kosovën”. Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raportet me ShBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.
“Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi pra s’guxojmë më tutje me hesht nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë. Pra së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qaf Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rrit votën sepse partitë shkojnë e vijnë por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, u shpreh Haradinaj.