Pas konferencës për shtyp të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku ai shprehu dëshirën që SHBA të “marrë nën kontroll Gazën dhe ta rindërtojë atë”, reagoi dhe zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.
Ai kundërshtoi planin e SHBA-ve dhe e quajti propozimin “qesharak” dhe “absurd”.
“Çdo ide e këtij lloji është në gjendje të ndezë rajonin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
Abu Zuhri reagoi gjithashtu ndaj sugjerimit të Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e cilësuar atë si një “recetë për krijimin e kaosit dhe tensionit në rajon”.
“Populli ynë në Rripin e Gazës nuk do të lejojë që këto plane të realizohen. Ajo që kërkohet është t’i jepet fund okupimit dhe agresionit kundër popullit tonë, jo dëbimi i tyre nga toka e tyre,” deklaroi ai.
Propozimi i Trump për marrjen e kontrollit të Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë palestineze, ka shkaktuar reagime të forta në skenën ndërkombëtare, veçanërisht mes vendeve arabe dhe organizatave ndërkombëtare që kanë kundërshtuar më parë iniciativa të ngjashme.
Jordania dhe Egjipti kanë qenë dy vendet e para që kanë refuzuar planin e Trump.